Projekte

Arsim Gjithëpërfshirës për çdo Fëmijë në Bashkinë e Bulqizës

Partnerë për Fëmijët në partneritet me Bashkinë Bulqizë po zbaton projektin “Arsim Gjithëpërfshirës për çdo Fëmijë në Bashkinë e Bulqizës” i cili financohet nga Programi i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Italo-Shqiptar (IADSA).
Ky është një projekt 18 mujor i cili ka filluar të zbatohet në Tetor 2014 deri në Mars 2016 dhe i cili zbatohet në Bashkinë e Bulqizës.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është në përputhje me prioritetet strategjike të zhvillimit dhe integrimit të qeverisë Shqiptare për të përmirësuar sistemin arsimor dhe për të përfshirë në arsim dhe shoqëri më shumë fëmijë nga grupet e pakicave etnike, nga grupet e fëmijëve në nevojë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Ky projekt synon të zhvillojë një arsim cilësisor dhe gjithëpërfshirës për të siguruar që asnjë fëmijë në Bashkinë Bulqizë nuk është përjashtuar apo neglizhuar, dhe që i janë ofruar mundësitë arsimore dhe sociale për zhvillimin e tij / saj të përgjithshëm.
Në fillim të muajit Janar 2015 ka filluar rindëritimi i shkollës nëntëvjeçare “Xhevdet Doda”. Rindërtimi i plotë i shkollës do të përmirësojë ambjentin e brëndshëm dhe të jashtëm dhe për t’i mundësuar aksesin të gjithë fëmijëve apo personave me aftësi të kufizuara dhe për ta bërë atë një shkollë me standarte europiane dhe miqësore për të gjithë fëmijët duke rindërtuar një çati të re; palestër, sistem me ngrohje qëndrore dhe tualete të reja në çdo kat. Ky rinovim i shkollës gjithashtu do të krijojë hapësira të përshtatshme për fëmijët që të organizojnë aktivitete fizike si lojra në grup apo lojra sportive, aktivitete të cilat janë të nevojshme për mirëqënien fizike dhe zhvillimin e fëmijëve. Përveç kësaj, në kuadër të projektit do të kryhen takime ndërgjegjësuese për të drejtën e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të frekuentuar shkollën së bashku me bashkëmoshatarët e tyre. Prindërit dhe anëtarët e komunitetit do të inkurajohen për t’u bërë pjesë e strukturave të vendim-marrjes në shkollë siç janë anëtarët e bordit të shkollave. Takimet dhe trajnimet me qeverinë e nxënësve do të rrisin aftësitë dhe konfidencën e tyre për të mirëpritur çdo fëmijë në shkollë dhe të sigurojnë që asnjë fëmijë të mos ngacmohet apo tallet për shkak të aftësive apo pamjes së tyre.

Gjithashtu me bordin e shkollës janë kryer takimet e para për të kuptuar nivelin e kuptueshmërisë së tyre dhe njohurive që kanë rreth rolit dhe përgjegjësive dhe për çfarë çështjesh kanë nevojë të marrin informacion. Një takim i përbashkët me anëtarët e bordit të shkollës Bulqizë dhe Dibër është planifikuar për të mundësuar shkëmbimin e informacionit dhe përvojës.