Projekte

Promovimi dhe Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut përmes Fuqizimit të Avokatit të Popullit në Shqipëri

Gjatë periudhës Maj 2014 – Dhjetor 2014, Partnerë për Fëmijët zbatoi projektin “Promovimi dhe Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut përmes Fuqizimit të Avokatit të Popullit në Shqipëri” me mbështetjen financiare të DANIDA.

Ky projekt përmirësoi nivelin e njohurive dhe të të kuptuarit e sistemit të arsimit parauniversitar dhe të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri për Avokatin e Popullit, institucionet qeveritare dhe shoqërisë civile, përmes një studimi të integruar dhe krahasimit të situatës në Shqipëri me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikave të mira të lidhura me fushën e arsimit dhe të shëndetit parësor. Përveç kësaj, janë prodhuar informacione dhe materiale promovuese për stafin e Institucionit të Avokatit të Popullit me qëllim përdorimin e tyre për të rritur ndërgjegjësimin dhe njohjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Dy studime kombëtare u zhvilluan në 6 rajone të Shqipërisë duke u fokusuar në sistemet e arsimit para-universitar aktual dhe të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri duke adresuar çështje që lidhen me zbatimin e standarteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikave të mira. Fëmijët, të rinjtë, prindërit, mësuesit, profesionistët e shëndetit parësor dhe përfaqësues të qeverisë lokale u përfshinë në këto dy studimeve përmes intervistave ose fokus grupeve me qëllim shprehjen e pikëpamjeve të tyre mbi nivelin dhe cilësinë e shërbimeve që ata kanë marrë në kuadër të shërbimeve arsiomore si dhe atyre të shërbimit shëndetësor parësor. Si rezultat i këtyre dy studimeve janë hartuar dy raporte studimore, gjetjet e të cilave jo vetëm që u botuan por edhe u prezantuan në dy seminare kombëtare me pjesëmarrjen e 100 pjesëmarrësve për secilën në datat 9 dhjetor 2014 (gjetjet e studimit mbi shërbimin arsimor) dhe 15 dhjetor 2014 (gjetjet e studimit mbi shërbimin shëndetësor parësor). Kopjet e dy raporteve mund t’i kërkoni te Partnerë për Fëmijët përmes adresës së email-it: infopartnereperfemijet@yahoo.com .

U hartuan dhe u prodhuan 5 fletëpalosje që përmbajnë informacione mbi të drejtat e ndryshme të njeriut. Këto përfshinin: Të drejtat e fëmijëve, të drejtat e grave, të drejtat e pakicave etnike dhe të drejtat e komunitetit rom. Të gjitha fletëpalosjet përfshinin udhëzime se si individi mund të paraqesë në ankesë te Avokati i Popullit, kur ata besojnë se një administratë publike nuk ka arritur të sigurojë një shërbim në përputhje me legjislacionin e vendit. Fletëpalosja përfundimtare u përqendrua në sigurimin e informacionit për qytetarët në atë që çafrë është Avokati i Popullit, rolet dhe përgjegjësitë e tij / saj dhe mënyra për t’u lidhur me Avokatin e Popullit.

Gjithashtu u hartuan edhe 5 postera me qëllim shfaqjen e tyre në mjedise publike, në zyrat e qeverisë vendore dhe në pikat kufitare hyrëse në Shqipëri. Temat e këtyre posterave ishin: Të Drejtat e Azilkërkuesve; Mbrojtja e Mjedisit; Tthuaji Jo Gjakmarrjes; Të Drejtat e Qytetarëve për të Marrë Pjesë në Marrjen e Vendimeve të Qeverisë Vendore dhe Të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Tre manuale janë hartuar dhe botuar të cilat më specifikisht janë:

  1. Udhëzuesi i Inspektimit të Shërbimeve Shoqërore në Shqipëri, Korrik 2014
  2. Pjesëmarrja e Fëmijëve dhe të Rinjve në Qeverisjen Vendore, Korrik 2014
  3. Lindur të Lirë dhe të Barabartë – Të drejtat e Personave LGBT, Korrik 2014